Zbritje sezonale dimëror nga 28 nëntor deri më 31 mars.
Përdorim terapeutik i ujit termomineral i Banjës së Kllokotit, është shfrytëzuar që moti nga popullata e këtij regjioni dhe vendbanimeve të afërta, për qëllime mjekimi. Karakteristikë e këtij shërimi kanë qenë larjet e gjata dhe të shumta me ujë të mineralizuar si dhe lyerjet me pelloide (baltë), të cilat kanë vazhduar me ditë të tëra si dhe pirja e sasive të mëdha të ujit mineral, sidomos gjatë muajve të verës.
Efekti i volitshëm i shërimit banjor (Balneoterapisë) në gjendjen objektive dhe subjektive të të sëmurëve manifestohet në shumë mënyra. Përveç veprimit lokal, është i njohur edhe veprimi i përgjithshëm në organizëm. Shërim banjor- Balneoterapia, sipas formës dhe përbërjes, është trajtë e veçantë e terapisë, që ngërthen ndikimin e përbashkët të faktorëve të shumtë në organizëm si: uji mineral dhe pelloida, klima, ushqimi, largimi nga ambienti i përditshëm jetësor, pushimi fizik dhe psikik. Nga e gjithë kjo mund të përfundohet se shërimi banjor, paraqet tërësi aktive biologjike të shumë faktorëve, të cilët në organizëm veprojnë jo në mënyrë individuale por komplekse.
Uji mineral i Banjës së Kllokotit në qëllime terapeutike përdoret në dy forma: si ujë për pije dhe për larje. Larjet me ujë termomineral të Banjës së Kllokotit bëhen në dy forma. Në atë lokale dhe të përgjithshme. Larjet individuale në vaskat apo ato grupore në pishinat, bëhen në ujë të vakët apo të ngrohët, gjatë të cilave edhe zhvillohen lëvizjet pasive dhe aktive të pacientëve dhe në atë mënyrë mund të evitohen kontrakturat e nyjave dhe muskujve, të bëhet forcimi i muskujve të dobësuar. Larjet e shkurtra me ujë të ftohët dhe të freskët mineral, preferohet të disa sëmundje nervore dhe psikike për forcimin e tonusit të sistemit nervor.
Në përgjithësi, për trajtimin e shumicës së sëmundjeve që kanë indikacion, më së shumti aplikohen larjet me ujë në vaskë me ujë të ngrohët me temperaturë 30–37 °C.